Hyn në fuqi rregullorja e re për prokurorët, magjistratët udhëheqës, 5 për qind shtesë page
KLP ka miratuar rregulloren e re për caktimin e prokurorëve udhëheqës në praktikat profesionale, duke parashikuar edhe shpërblim shtesë prej 5% mbi pagën bazë.
Sipas dokumentit të publikuar në Fletoren Zyrtare, magjistratët udhëheqës do të marrin një shtesë prej 5 për qind mbi pagën mujore bruto fillestare për periudhën që ushtrojnë detyrën e mentorit. Ata do të drejtojnë dhe mbështesin kandidatët për magjistratë gjatë fazës së praktikës profesionale, duke siguruar zbatimin e standardeve etike dhe profesionale.
Kriteret për përzgjedhjen e magjistratëve udhëheqës
Prokurorët që do të përzgjidhen në këtë rol duhet të kenë të paktën pesë vite përvojë pune, vlerësim etik dhe profesional “shumë mirë”, të mos kenë masa disiplinore dhe të kenë përfunduar trajnimin për magjistratë udhëheqës. Gjithashtu, kërkohet që gjatë vitit të fundit të kenë respektuar afatet ligjore të hetimeve dhe gjykimeve të çështjeve.
Rregullorja përcakton se magjistrati udhëheqës caktohet për një periudhë trevjeçare. KLP kryen çdo vit një kontroll për verifikimin e kritereve përmes raportit disiplinor, vlerësimit profesional dhe informacionit nga prokuroria përkatëse. Në bazë të këtij kontrolli, vendoset nëse mandati i tij do të vazhdojë apo do të shfuqizohet.
Lehtësira në ngarkesën e punës dhe pushimet vjetore
Magjistrati udhëheqës që mbikëqyr një kandidat për magjistrat përjashtohet nga hedhja e dhjetë e shortit për ndarjen e çështjeve, duke pasur kështu ngarkesë më të ulët pune. Drejtuesi i prokurorisë duhet ta marrë këtë reduktim në konsideratë gjatë vlerësimit vjetor të punës së magjistratit.
Kandidati për magjistrat përfiton 25 ditë pushim vjetor të paguar, prej të cilave 15 ditë gjatë muajit gusht, që duhet të përkojnë me periudhën e pushimeve të magjistratit udhëheqës. Lejet miratohen nga drejtuesi i prokurorisë pas konsultimit me mentorin që mbikëqyr praktikën.